Mbreti Zog gjatë inaugurimit të Radio Tiranës
më 28 nëntor 1938.

Datenschutz
 AL Voices  |  Robert Elsie

1930  |  Mbreti ZOG
English   deutsch   shqip

Ahmet Zogu, i njohur përgjithësisht si Mbreti Zog, u lind në Burgajet të Matit, kushëri i largët i Esad Pashë Toptanit. Vitet e para, prej 1903 deri në gusht 1912 i kaloi në Stamboll, dhe gjatë Luftës së Parë Botërore komandoi një brigadë vullnetarësh shqiptarë që luftoi në krah të Austro-Hungarisë. Në 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, dhe në periudhën 1920-1922 shërbeu si ministër i brendshëm dhe më pas si ministër i mbrojtjes në qeverinë e Sulejman bej Delvinës. Më 2 dhjetor 1922 krijoi qeverinë konservatore cila qëndroi në pushtet deri më 23 shkurt 1924, kur u krye atentat kundër tij. Zogu u arratis në Jugosllavi pas Revolucionit Demokratik, i cili bëri të mundur ardhjen jetëshkurtër në pushtet të Fan Nolit. Atje, me mbështetjen jugosllave, organizoi grupe vullnetare dhe u rikthye për të rimarrë pushtetin në Shqipëri. Më 24 dhjetor 1924 trupat e tij pushtuan Tiranën duke i dhënë fund eksperimentit demokratik.

Më 15 janar 1925, krijoi qeverinë e re, dhe e shpalli Shqipërinë republikë, e cila formalisht ishte ende monarki  më Princin e mërguar Wilhelm zu Wied në fron; dhe më 31 janar të po atij viti u vetemërua president. Pavarësisht se erdhi në pushtet me mbështetjen jugosllave, ai filloi të përkrahte gjithnjë e më shumë Italinë fashiste, rivalen e Jugosllavisë në Adriatik. Pas një marrëveshjeje fillestare tregtare midis Shqipërisë dhe Italisë, të dy vendet nënshkruan më 27 nëntor 1926 Paktin e parë të Tiranës dhe më 22 nëntor 1927 Paktin e dytë të Tiranës, në të cilin parashikohej ndihma reciproke në rast sulmi. Këto marrëveshje e bënë Shqipërinë protektorat de facto të Italisë.

Më 1 shtator 1928, me mbështetjen italiane, Zogu u vetëshpall Zogu I, Mbret i Shqiptarëve. Në janar 1931, shkoi në Vjenë gjoja për arsye shëndetësore, dhe në mbrëmjen e 20 shkurtit kur po largohej nga pallati i operas pas shfaqjes së Pagliacci, kundër tij u krye atentat. Njëri prej shoqëruesve të tij u vra dhe një tjetër u plagos, por mbreti i cili iu kundërpërgjigj të shtënave, i shpëtoi atentatit dhe në fund të marsit 1931 u kthye në Tiranë. Atentatorët Aziz Çami, komunist shqiptar nga jugu dhe Ndoc Gjeloshi, katolik konservator nga Shkodra, u dënuan më pas me burgim prej autoriteteve austriake.

Në dekadën pasardhëse, monarku autoritar u përpoq që të fitonte një farë pavarësie prej planeve gjithnjë e më kolonialiste të Musolinit, por më së fundi u detyrua të tërhiqej. Kur trupat italiane pushtuan Shqipërinë të Premten e Madhe, më 7 prill 1939, Zogu dhe familja e tij, Mbretëresha Geraldinë  dhe djali i sapolindur Leka, u larguan me rrugë tokësore në Greqi dhe në 1940 shkuan në mërgim në Angli. Aty u vendosën në hotel Ritz në Londër dhe më pas në Parmoor House në luginën e Tamizit. Prej vitit 1946 deri në 1955, familja mbretërore jetoi në Egjipt ku qeveriste mbreti Faruk (1920-1965), i cili ishte me prejardhje shqiptare. Aty Zogu riorganizoi lëvizjen monarkiste të Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim, po pa shumë sukses. Pas rrëzimit të Mbretit Faruk nga froni në 1952, Zogu dhe familja e tij shkuan në Kanë në jug të Francës. Vdiq prej kancerit të stomakut në Suren [Suresnes] afër Parisit dhe u varros aty.

 

Ka shumë mundësi që ky dokument zanor, nga tetori i vitit 1930, të jetë i vetmi incizim i zërit të Zogut. Origjinali gjendet ne arkivin e Princit Leka, të cilit jemi mirënjohës për mundësinë e shfrytëzimit.  Në incizimin, mbreti flet para ushtarëve të tij dhe thotë:

“Jam veçanërisht i lumtun të konstatoj, të vështroj me sytë e mi hapat e forta që ushtria shqiptare ban kundrejt disiplinës edhe kundrejt përparimit. Tuj bërtit: rroftë ushtria armate, rroftë fuqia armate e kombit shqiptar.”

Rroftë, rroftë! Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!

 

TOP