Geraldine Apponyi në vitin 1937

Datenschutz
 AL Voices  |  Robert Elsie

1981 | Mbretëresha GERALDINË
English   deutsch   shqip

Geraldinë Apponyi (1915-2002) u lind si konteshë në Budapesht. Ishte e bija e aristokratit hungarez, Kontit Gyula Apponyi de Nagy-Apponyi, dhe e Gladys Stewart-Strale, amerikane me origjinë nga një familje e vjetër nga Virgjinia. Pas vdekjes së të atit në vitin 1924 dhe rimartesës së nënës me një ushtarak francez, familja e të atit këmbënguli që Geraldina dhe dy motrat e saj të ktheheshin dhe të arsimoheshin në Hungari. Kur u rrit, e quanin “trëndafila e bardhë e Hungarisë”. Në një mbrëmje vallëzimi, në moshën 17 vjeçare, një fotograf e kishte nxjerrë në fotografi që u botua në një revistë hungareze. Ishte pikërisht kjo foto që më vonë thonë se mbërriti në duart e Mbretit Zog të Shqipërisë i cili donte të martohej. Mbreti Zog e ftoi Geraldinën në Tiranë. Ajo arriti pak pas Krishtlindjeve të vitit 1937. Më 27 prill 1938 ata u martuan.

 


Dasma në Tiranë, më 27 prill 1938

Një vit më vonë, më 5 prill 1939, Geraldina lindi një djalë të cilit i vunë emrin Leka. Po në prill të vitit 1939, Italia sulmoi Shqipërinë. Familja mbretërore u detyrua të arratisej në Greqi dhe më pas u vendos në Londër. Gjatë periudhës 1946-1955, ata jetuan në Egjipt, të ftuar prej Mbretit Faruk (1920-1965) i cili ishte me prejardhje shqiptare. Pas rrëzimit nga froni të Mbretit Faruk në 1952, familja mbretërore shqiptare u zhvendos në Kanë, qytet në jug të Francës, dhe më pas në Paris. Pas vdekjes së bashkëshortit në Paris në prill të vitit 1961, Geraldina u zhvendos në tetor 1962 në Spanjë dhe më vonë në Brianston në Afrikën e Jugut, ku jetoi në mërgim me djalin dhe familjen e tij. Më 28 qershor 2002 u kthye në Shqipëri për të kaluar muajt e fundit të jetës së saj atje ku një herë e një kohë kishte mbretëruar.

Në këtë incizim zanor, të bërë nga Bernd Fisher (Bernd Fischer) në korrik të vitit 1981 në në jug të Spanjes, Geraldinë Apponyi rrëfen se si u ndodh që ajo të bëhej Mbretëresha e Shqiptarëve. Jemi mirënjohës profesorit Fisher nga universiteti Indiana-Purdue në Fort Uajn (Fort Wayne) Indiana, për paraqitjen e këtij incizimit historik këtu.

 

TOP