Dhimitër Beratti (1896-1970).

Datenschutz
 AL Voices  |  Robert Elsie

1921  |  Dhimitër BERATTI
English   deutsch   shqip

Përralla shqiptare "Këndësi që pjell flori."

Dhimitër Berati (1896-1970), i njohur gjithashtu si Demetri Beratti, ishte një figurë politike nga Korça. Pasi mori pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, u emërua Sekretar Shteti në Ministrinë e sapokrijuar të Punëve të Jashtme. Nga 24 gusht 1913 deri me 1914 ishte redaktor i gazetës së përdyjavshme të Vlorës Përlindj’ e Shqipëniës e cila si zëri i qeverisë së përkohshme iu përkushtua “mbrojtjes së të drejtave kombëtare”. Luftën e Parë Botërore, Berati e kaloi në Bukuresht dhe më pas, nga 1919 deri më 1921, shërbeu si sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Kur ishte në Francë botoi në anglisht librin me 69 faqe Albania and Albanians (Shqipëria dhe shqiptarët), Paris 1920, dhe një libër të ngjashëm në frëngjisht me titull La question albanaise (Çështja shqiptare), Paris 1920, me qëllim njohjen e çështjes shqiptare. Më 1923, u kthye në Ministrinë e Jashtme ku shërbeu si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve. Pas një periudhe tjetër qëndrimi në Rumani, që nga viti 1925, u kthye përsëri në Ministrinë e Jashtme. Më 1934 u emërua ministër i Ekonomisë. Nga dhjetori 1941 deri në janar 1943, gjatë pushtimit italian ishte ministër i Arsimit. Pas lufte, Berati shkoi në Itali ku ndërroi jetë më 1970, në një aksident rrugor.

Më datën 8 qershor 1921, gjatë qëndrimit të tij në Paris, Berati incizoi zërin e vet (1:53 minuta) në bibliotekën e Universitetit Sorbonne, ku lexoi përrallën shqiptare "Këndësi që pjell flori", marrë nga koleksioni i Auguste Dozon-it (1822-1890) botuar frëngjisht si Contes albanais (Përralla Shqiptare), Paris 1881. I shprehim mirënjohjen z. Rudi Metaj për zbulimin e këtij incizimi si dhe Bibliotekës Kombëtare të Francës (Bibliothèque Nationale de France) në Paris për publikimin e tij.

 

[marrë nga: Gallica, Bibliothèque numérique, Bibliothèque Nationale de France]

TOP