1937 Fishta Kanga 5. 391-465

Gjergj Fishta, 1939.

1937  |  Gjergj Fishta:
Lahuta e Malcís
Kanga 5. 391-465

 

Por, s' din Shkjau me mbajtë miqsí!

Aman, Zot, kur duel Serdari,

Se ç' kje ndezë Vranina zhari!

Aman, Zot, kur mrrîni Pera,

   
395

Se shum krisi atbotë potera!

Por kur rán Shkjét e Vraninës

Shum u krisi plumja shpinës!

Porsi shé, qi m' nji natë gjâmet

Rritet turr e del prej âmet

   
400

Tuj ushtue - e tue shkumue,

Shkaperderdhet nper zallina,

Ashtû u derdh Shkjau te Vranina,

N' valë Shqyptarët krejt tue i pershî.

S' lufton ndryshe e rrebtë kulshetra

   
405

E me dhâmbë edhè me kthetra,

Zjarm e surfull tue flakrue,

Kur drangojt t' a kenë rrethue;

Si i qindron sod Shkjaut Shqyptari

Per dhé t' amel, qi i la i Pari:

   
410

Kâmbë per kâmbë, tuj qitë pá dá,

Tue korrë krena neper Shkjá.

U janë ndezun flakë breshânat,

U kullojn gjak n' dorë tagânat,

E u kullon gjak edhè zêmra,

   
415

Veç se vendit s' u lot thêmra.

Por ç' dobí: dielli tue lé

- Isht' tue lé m' at ditë per Shkjé! -

I rán ndore Shkjaut t' terbuem

Tridhjetë t' vrám e dhetë t' shituem!...

   
420

O ata t' lumt, qi dhane jeten,

O ata t' lumt, qi shkrîne veten,

Qi per Mbret e vend të t' Parve,

Qi per erz e nderë t' Shqyptarve

Derdhen gjakun tuj luftue,

   
425

Porsi t' Parët u pa'n punue!

Letë u kjoftë mbí vorr ledina,

Butë u kjoshin moti e stina,

Aklli, bora e serotina:

E dér t' kndoje n' mal ndo 'i Zânë,

   
430

E dér t' ketë n' dét ujë e rânë,

Dér sá t' shndrisin diell e hânë,

Ata kurr mos u harrojshin,

N' kângë e n' valle por u kndojshin.

E njaj gjak, qi kan dikue,

   
435

Bân, o Zot, qi t' jesë tue vlue

Per m' i a xé zêmren Shqyptarit,

Per kah vendi e gjûha e t' Parit!

Po, váll! Osja kû do t' jetë?

Oso Kuka a mos ká mbetë?

   
440

N' Xhebehane ká zatetë!

Ká zatetë n' at kullë t' barotit,

Kû ká bâ êmrin e Zotit,

Se per t' gjallë nuk ká m' e lshue,

Shokët e vet per pá i pague

   
445

Tridhetë t' vrám e dhetë t' shitue.

Kur pau Shkjau se pushka mêni

Si kah vau, si kah Liqêni,

E se mbetë s' kisht' Oso Kuka

Me tjerë t' vrám, perjashtë ke suka,

   
450

M' Xhebehane u turr m' at hera,

Si, kur t' lshojë kah Prendvera,

Vrullet bleta çark njaj zgjonit,

Tue zukatë si rryma e prronit.

N' brohorí tue i lutë jetë Knjazit

   
455

Njiqind vetë kcyen m' kulm t' pullazit,

Mâ t' permendunt kah trimnija,

Njaq u njiten mbi frangija,

Tue thye muret n' gjak t' perlyeme:

- Por ká gioben shpija e thyeme! -

   
460

Krisi Osja atbotë si ulâni,

Mje m' Cetinë i vojti zâni:

"Ah kadalë, Nikollë, t' vraftë Zoti!

Pse ktû i thonë Oso baroti:

Se s' ké pá Shqyptár me sy,

   
465

Se djegë vehten edhè tý!"